Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një intervistë për “Arab News”, duke ju bërë thirrje vendeve muslimane që ta njohin shtetin e Kosovës.
Në këtë intervistë Kurti tha se është gabim i madh i vendeve me shumicë muslimane që nuk e njohin Kosovën.
“Ne mendojmë që është një gabim i madh që disa vende me shumicë myslimane të popullatës nuk e njohin Kosovën. Unë mendoj që ato janë dezinformuar nga Serbia. Dhe disa nga to e bëjnë këtë sepse vazhdojnë të mbajnë lidhje të ngushta me Federatën Ruse”, tha Kurti.
Po ashtu, Kurti iu bëri thirrje këtyre vendeve që ta njohin shtetin e Kosovës.
“Megjithatë, unë do t’iu kërkoja të gjitha vendeve në botë, për hir të paqes afat-gjate, sigurisë së qëndrueshme dhe njohjes së të drejtave të popullit për liri dhe vetëvendosje, që ta njohin pavarësinë e Kosovës”, deklaroi Kurti.
Kurti në këtë intervistë foli edhe për vendimin e Kosovës, për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.
“Ajo s’ka të bëjë asgjë me qëndrimin tonë për popullin e Palestinës dhe kauzën e tyre. Ne duam të kemi raporte të mira me Palestinën, me autoritetin e Palestinës dhe gjithashtu edhe me popullin e Palestinës”, u shpreh Kurti.