image Kurti tregon se kur do të hiqet taksa ndaj Serbisë

Politikë/ Kurti tregon se kur do të hiqet taksa ndaj Serbisë

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në Konventën e Prodhuesve të Kosovës, derisa ka folur për heqjen e taksës dhe vendosjen e masës së reciprocitetit, nuk ka dhënë një afat se kur do të merret një vendim i tillë.

Ndër të tjera ai shton se këtë do ta bëjë pasi të marrë rekomandimet nga grupi punues që do të formohet nga Ministria e Tregtisë. Ky grup punues, sipas tij, do të përbëhet nga organizata që merren me ekonominë dhe prodhuesit vendor.

Ai tha se parimet e reciprocitetit që do të nxirren nga Qeveria Kurti do të jenë të bazuara në parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe në CEFTA.

“Ministrja Rozeta Hajdari ka bërë edhe disa hapa që na sjellin më afër heqjes së tarifës dhe vendosjes së reciprocitetit të plotë. Rozeta tashmë ka marrë vendim për të krijuar grupin punues me anëtarët nga Departamenti i Tregtisë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda e Afaristëve të Kosovës, Dogana, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës. Ky grup do t’i përmbledh të gjitha barrierat tregtare me Serbinë dhe do të vijë me rekomandim te qeveria. Porsa të vijnë në zyrën time këto rekomandime do t’i analizojmë dhe do të marrim vendim për largim të tarifës dhe vendosje të reciprocitetit”, ka deklaruar Kurti sot në Konventën e Prodhuesve të Kosovës.

Kurti më tej shton se nuk do të marrë asnjë vendim pa miratimin e prodhuesve vendor./GazetaSinjali/