Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Në këtë takim Kurti tha se po punojnë bashkë me OVL-në e UÇK-së në pastrimin e listave të veteranëve.
“Përfaqësuesit nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paraqitën kërkesat dhe shqetësimet e tyre lidhur me mirëqenien e veteranëve dhe mundësitë e shtimit të bashkëpunimit, për të përmirësuar gjendjen e tyre. U diskutua edhe çështja e pastrimit të listave, për çfarë përfaqësuesit nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shprehën gatishmëri për të gjetur mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me Qeverinë”, thuhet në njoftim.
Dje kryeministri Kurti deklaroi se në Kosovë nuk janë 60 mijë veteranë, aq sa janë të regjistruar, mirëpo janë rreth 20 mijë.
Ai gjithashtu tha se veteranët nuk duhet të përfshihen në Ligjin për Pagat, sepse “nuk e meritojnë pagën minimale”.
“Ata meritojnë më shumë se pagën minimale”, tha Kurti në KTV.
Njoftimi i plotë:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim z.Faton Klinakun, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me kryetarët e disa degëve të organizatës së veteranëve të luftës
Në këtë takim, kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për thellimin e bashkëpunimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së veteranëve të UÇK-së. Ai shprehu gatishmërinë për takime të radhës që do t’i kontribuonin këtij qëllimi.
Përfaqësuesit nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paraqitën kërkesat dhe shqetësimet e tyre lidhur me mirëqenien e veteranëve dhe mundësitë e shtimit të bashkëpunimit, për të përmirësuar gjendjen e tyre.
U diskutua edhe çështja e pastrimit të listave, për çfarë përfaqësuesit nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shprehën gatishmëri për të gjetur mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me Qeverinë.
Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe z.Aziz Bici, këshilltar i Kryeministrit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bisedua edhe për tema të tjera të rëndësishme lidhur me statusin dhe gjendjen e veteranëve të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.