image Komisioni për Buxhet nesër shqyrton emrat për guvernator, a do të ndryshojë lista?

Komisioni për Buxhet nesër shqyrton emrat për guvernator, a do të ndryshojë lista?

news image

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendi të Kosovës, nesër në mbledhje do të bëjë shqyrtimin e listës së kandidatëve për plotësimin e pozitës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Në këtë mbledhje do të dihet nëse Komisioni për Buxhet, do të bëjë ndryshimin e listës apo shtimin e emrave të tjerë, duke e marrë parasysh pretendimet për shkeljet ligjore që janë bërë nga ana e Panelit përzgjedhës duke dërguar kandidatë në listë që kanë qenë me pikë të barabarta dhe duke eliminuar të tjerë në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës.

Për dyshimet në përzgjedhjen e emrave për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, kryetari i Komisionit së panelit përzgjedhës, Flamur Mrasori, ka shprehur dyshime se është shkelur një nga parimet bazë të Kushtetutës: Barazia para ligjit, që është një nga parakushtet për funksionim të rendit dhe ligjit e që institucionet e Kosovës, së fundi janë krenuar.

Sipas kryetarit të komisionit për vlerësimin e kandidatëve, edhe pse dy kandidatë kanë pasur vlerësim identik, emri i njërit është dërguar për votim në Kuvend, e tjetri jo.

Kjo sipas Mrasorit, përbën cenim të Parimit të barazisë para ligjit. “Propozimi që është miratuar më shumicë votash ka qenë propozimi që lista përfundimtare të përfshijë katër (4) kandidatë që t’i propozohen Kuvendit të Kosovës. Lidhur me këtë propozim, vota ime është kundër, andaj edhe parashtroj këtë mendim të ndarë”, thuhet qysh në hyrje të letrës që mban datën 30 janar 2023.

Guvernatori i tanishëm Fehmeti Mehmeti e kandidatja Shkëndije Himaj në vlerësimin e Komisionit për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës ishin me pikë të barabarta.

Të dy u vlerësuan me nga 26 pikë të Komisionit, por, pavarësisht kësaj, vetëm njëri nga ta shkoi për në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit të Kosovës. Shkëndije Himaj ka pasur disa herë procedurë disiplinore me komisionet brenda BQK-së lidhur me shkelje të ndryshme që ka bërë gjatë përvojës së saj në cilësinë e Këshilltares së Lartë të Bordit Ekzekutiv për Sektorin Financiar. “Më datë 25.01.2022, znj. Himaj Zekaj i është bërë vlerësimi i përformancës në punë për vitin 2021 (01 janar 2021 – 31 dhjetor 2021), ku me këtë rast është vlerësuar më notën Pamjaftueshëm (0- 1.4), që nënkupton vlerësim i dobët. Po ashtu edhe më datë 04.04.2022, znj. Himaj Zekaj, i është bërë vlerësimi i përformancës në punë për tre (3) mujorin e parë të vitit 2022 (01 janar – 31 mars 2022), ku me këtë rast është vlerësuar më notën Pamjaftueshëm (0-1.4), që nënkupton vlerësim i dobët”, thuhet në këtë raport.

Përderisa, emri i Fehmi Mehmetit nuk është dërguar në Kuvend, edhe pse në të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare BQK-ja është vlerësuar si nga institucionet kryesore që Kosova ka ruajtur stabilitetin financiar në Kosovë.

Në mesin e kandidatëve për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës janë: Nexhat Kryeziu, Ahmet Ismaili, i cili kishte qenë drejtor i Thesarit të Shtetit në kohën kur kishte ndodhur vjedhja e më shumë se 2 milionë eurove si dhe Lulzim Ismajli.

Ky vlerësim që është bërë nga komisioni vlerësues, dallon paksa edhe nga vlerësimi i britanikëve. Aty është theksuar se janë gjashtë kandidatë të cilët mund të emërohen. Në mesin e tyre janë edhe Fehmi Mehmeti e Genc Rraci, të cilët nuk janë dërguar për votim nga Komisioni.

Këta janë emrat e anëtarëve të Komisionit për Buxhet të cilët do të vendosin për listën me emrat e kandidatëve për guvernator të BQK-së:

Armend Muja kryetar i Komisionit, njëherit deputet i VV-së, Mëgim Lushtaku zëvendëskryetar i parë, njëherit deputet i PDK-së, Enver Haliti anëtar, njëherit deputet i VV-së, Jeta Statovci, anëtare njëherit deputete e VV-së, Visar Korenica, anëtar njëherit deputet i VV-së, Eman Rrahmani, anëtar njëherit deputet i VV-së, Ferat Shala, anëtar njëherit deputet i PDK-së, Avdullah Hoti, anëtar njëherit deputet i LDK-së, Pal Lekaj, anëtar njëherit deputet i AAK-së dhe Duda Balje, anëtare, njëherit deputete nga radhët e komunitetit boshnjak.

/GazetaSinjali/