image ​Kurti: Qeveria po harton ligjin e ri për mbrojtje nga dhuna në familje

Politikë

​Kurti: Qeveria po harton ligjin e ri për mbrojtje nga dhuna në familje

news image

Ofrimi i shërbimeve të specializuara mbështetëse për viktimat e dhunës në familje dhe roli i strehimoreve në mbrojtjen dhe rehabilitimin e tyre, ishin tema e takimit të sotëm të Kryeministrit Albin Kurti, me udhëheqëset e strehimoreve.

Kryeministri, Kurti vlerësoi punën e strehimoreve si partnere në luftimin e dhunës në familje, të përfshira drejtpërsëdrejti në mbrojtjen e grave viktima të dhunës dhe fëmijëve të tyre.

U bisedua për nismat e ndërmarra nga Qeveria për infrastrukturë të re ligjore, hartimin e Ligjit të ri për mbrojtje nga dhuna në familje si dhe Strategjinë për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026.

Në takimin e përbashkët me zëvendësministren e Drejtësisë, Nita Shala, njëherit koordinatore nacionale kundër dhunës në familje, dhe me udhëheqësen e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e kryeministrit, Edi Gusia, kryeministri u njoftua nga udhëheqëset e strehimoreve për angazhimin dhe sfidat në fushën e përgjegjësisë së tyre, në fazat e reagimit ndaj rasteve të dhunës në familje, për mbrojtjen, rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri të viktimave të dhunës në familje.

Gjithashtu, u diskutuan hapat e mëtejmë që do të forcojnë edhe më tej zbatueshmërinë e drejtpërdrejtë të Konventës së Stambollit në kornizën tonë ligjore, dhe zbatimin e kërkesave që burojnë nga kjo konventë, e që do të udhëzojnë më tej punën e institucioneve përgjegjëse./GazetaSinjali/