Kryeministri Albin Kurti është takuar me shefin e OSBE-së, në Kosovë, Michael Davenport, e ku një nga temat e diskutimit ishte edhe referendumi i Serbisë të cilin qeveria e Kosovës s’e lejoi të zhvillohet në Kosovë.
Për Davenport, Kurti pati falënderime për situatën me rastin e referendumit kushtetues të Serbisë.
“Temë diskutimi e takimit ishin të drejtat e pakicave, sundimi i ligjit, e çështjet e sigurisë dhe qeverisja e mirë. Në takim u adresuan edhe zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve Zyrtare dhe mbështetja për Zyrën e Komisionerit për Gjuhët si dhe gatishmëria e OSBE-së për të ndihmuar Zyrën e Kryeministrit dhe qeverinë në fushat me interes të përbashkët. Kryeministri Kurti falënderoi z. Davenport për komunikimin e vazhdueshëm, përfshirë këtu edhe situatën me rastin e referendumit kushtetues të Serbisë”, thuhet në komunikatë.
Gjatë ditës së djeshme, Michael Carpenter, ka paralajmëruar bisedime në mes Kosovës dhe Serbisë, për ta gjetur një model se si do të mund të votohej në të ardhmen në zgjedhje.