Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim shefin e ri të Zyrës Diplomatike të Belgjikës, Julien Sassel, të cilit i shprehu mirëseardhje dhe e uroi për marrjen e detyrës, shkruan Gazeta Sinjali.
Kryeministri Kurti gjatë këtij takimi theksoi kontributin e shtetit belg në pavarësimin e Kosovës dhe anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Gjithashtu theksoi marrëdhëniet e mira tregtare dhe interesimin e kompanive belge për investim në Kosovë.
Në këtë takim po ashtu u fol edhe për rëndësinë e arritjes së marrëveshjeve të ndryshme bilaterale, si ajo për bashkëpunim policor, për arsim dhe taksim të dyfishtë.
Situata me pandeminë dhe masat që ka ndërmarrë Qeveria për menaxhimin e variantit Delta ka qenë gjithashtu temë e diskutimit.
Kryeministri Kurti i ofroi shefit të ri të misionit diplomatik belg bashkëpunimin e plotë për avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Sassel tha se Belgjika do të vazhdojë të përkrahë Qeverinë dhe popullin e Kosovës në rrugën e integrimeve europiane dhe euroatlantike. /GazetaSinjali/