Kryeministri Albin Kurti mbrëmë takoi një delegacion nga senati francez, anëtarë të komisionit për punë të jashtme dhe mbrojtje, të përbërë nga senatorët Hélène Conway-Mouret, Michelle Gréaume, Olivier Cigolotti dhe administratori i komisionit të punëve të jashtme, mbrojtje dhe forca të armatosura, Benoît Heurtel.
Kurti falënderoi senatorët francezë për mbështetjen që Republika e Francës i ka dhënë Kosovës përgjatë gjithë etapave, nga çlirimi, pavarësimi, e deri te shtetndërtimi dhe konsolidimi ndërkombëtar.
Ai i informoi delegacionin francez rreth zhvillimeve në Kosovë, çështjes së dialogut me Serbinë, si dhe rreth sfidave të aspektit të sigurisë, që kërcënojnë rajonin dhe vendin tonë.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti foli për fokusin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e sektorit të Mbrojtjes dhe sigurisë, arsimit, bujqësisë dhe energjisë. Theks të veçantë vendosi te rritja e investimeve të huaja në Kosovë dhe veprimet e hapat, që Qeveria ka ndërmarrë për mundësimin e këtyre investimeve.
“Senatorët francezë u shprehën të kënaqur për progresin që Kosova ka arritur në shumë fusha sidomos në fushën e sundimit të ligjit, rritjes së transparencës dhe forcimin e demokracisë. Ata si përfaqësues të partive të ndryshme politike në kuadër të senatit francez, theksuan se do të jenë të bashkuar në mbështetje të rritjes së bashkëpunimit ndërmjet Francës dhe Kosovës, me fokus në fushën e ekonomisë, energjisë, mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe mjedisit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Kurti në këtë takim ka kërkuar mbështetjen për mundësitë e rritjes dhe avancimit të aktiviteteve të përbashkëta ushtarake, si dhe mbështetje diplomatike për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe në BE.
Gjatë takimit, po ashtu u diskutua edhe për sfidat aktuale të sigurisë në nivel global, agresionin dhe invazionin ushtarak rus ndaj Ukrainë dhe pasojat e tij për ekonominë dhe sigurinë e kontinentit.
Në takimin me senatorët dhe darkën e shtruar nga ambasadori francez, Kryeministri Albin Kurti u shoqërua nga deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian, Arbëresha Kryeziu Hyseni, Këshilltari i Kryeministrit për mbrojtje dhe siguri, kolonel Ejup Maqedonci, si dhe Elvis Hoxha.