Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot anëtaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjës dhe Hercegovinës, Sabina Ćudić, me të cilën pati një takim të përzemërt.
Për këtë takim ka njoftuar zyra e kryeministrit, të enjten.
“Diskutuan për mundësitë dhe format e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për potencialin e këtij bashkëpunimi për qytetarët e të dyja vendeve, si dhe për situatën në rajon në këtë kohë të krizave të shumëfishta në kontinentin tonë evropian dhe në botë”.
“U theksua edhe nevoja e udhëtimit të lirë ndërmjet dy vendeve, e që marrëveshja për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në kuadër të Procesit të Berlinit më së miri e adreson, si hap i rëndësishëm i përafrimit dhe rritjes së shkëmbimit ndërmjet shtetasve të Kosovës dhe Bonjës dhe Hercegovinës. Kryeministri Kurti e përgëzoi deputeten Ćudić për qëndrimet e saj, e falënderoi për vizitën, dhe i ofroi asaj bashkëpunim të mëtejmë”, thuhet në njoftim.