image Kurti takohet me Ambasadorin e Shtetit të Katarit, mirëpret bashkëpunimin mes dy vendeve

Politikë

Kurti takohet me Ambasadorin e Shtetit të Katarit, mirëpret bashkëpunimin mes dy vendeve

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot një delegacion nga Katari të kryesuar nga Ambasadori i Shtetit të Katarit, Ali bin Hamad Al Marri.

Në takim u bisedua për bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimeve në vend. Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e interesuar që të rrisë bashkëpunimin tregtar me shtetin e Katarit dhe mirëpret investime të huaja.

“Me demokraci kualitative, sundim të ligjit, popullatë të re dhe fuqi punëtore të talentuar Kosova është mundësi e mirë për investime të huaja” u shpreh Kurti. 

Ambasadori Al Marri tha se Republika e Kosovës është shumë e rëndësishme për Katarin, teksa nënvizoi faktin që vizita e parë e këtij delegacioni në rajon po zhvillohet në Kosovë.

Me ambasadorin Al Marri, kryeministri Kurti foli edhe për Fondin Sovran që do ta themelojë Kosova. Shkas për këtë ishte fakti që edhe Katari ka një Fond Sovran. Ndërkaq, Drejtori Rajonal i Zhvillimit të Biznesit për Evropën, Rusinë dhe Turqinë i shtetit të Katarit, Mubarak Abdulziz Al-Khulaifi, pjesë e delegacionit, u shpreh se janë të interesuar për investime afatgjate.

Kryeministri Kurti ftoi delegacionin që t’i shqyrtojë mundësitë për investime në Kosovë dhe që së bashku të ndërtojnë një urë ekonomike ndërmjet dy vendeve.

/GazetaSinjali/