Kryeministri Albin Kurti ka diskutuar me ambasadorët e pesë shteteve të QUINT-it mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, bëhet e ditur në një komunikatë për media të Qeverisë të premten.
Sipas njoftimit, Kurti ka falënderuar ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë për mbështetjen e tyre për këtë aplikim.
“Republika e Kosovës ndanë të njëjtat vlera dhe parime me Këshillin e Evropës, dhe këto janë të mishëruara edhe në Kushtetutën tonë, nëpërmjet inkorporimit të konventave të rëndësishme të Këshillit të Evropës. Ai theksoi se përparimet e dukshme të Republikës së Kosovës në indekset ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut, të demokracisë dhe të sundimit të ligjit, janë disa nga dëshmitë që tregojnë se Republika e Kosovës duhet të jetë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës dhe procesi i filluar i anëtarësimit duhet të vazhdojë pa vonesë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, sipas njoftimit, i ka njoftuar ambasadorët me zhvillimet e deritashme në këtë proces.
“Opinioni ligjor mbi aplikimin e Republikës së Kosovës, i dhënë nga Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës, ka vulosur një herë e përgjithmonë të drejtën e Republikës së Kosovës për të qenë anëtare e plotë në këtë organizatë. Lobimi intensiv dhe i koordinuar me partnerët, ka siguruar mbështetjen e nevojshme për procedimin e mëtutjeshëm të aplikimit të Republikës së Kosovës, drejt anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se Kurti ka njoftuar ambasadorët për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë dhe ka shprehur gatishmërinë për të diskutuar për planin e zbatimit në kuadër të propozimit evropian.
Kosova aplikoi në maj të vitit të kaluar për pranim në Këshill të Evropës. Nga 46 shtete anëtare, mjaftojnë 31 vota për t’u pranuar. Janë 34 anëtare në Këshill të Evropës që e kanë njohur Kosovën si shtet.