Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot do të udhëtojë për në Paris ku pritet të marrë pjesë në Forumin e Paqes, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social, mbrëmë Kurti bëri të ditur se gjatë kësaj vizite mund të ketë edhe një takim trilateral me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”, është shprehur Kurti.
Tutje, ai tha se janë dy propozime në tavolinë, një i tij, me kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i preznatuar në takimin e 18 gushtit si dhe propozimi franko-gjerman, që sipas tij, e ka mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së.
“Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë”, ka thënë Kurti.