image Kurti: Sot kujtojmë të arriturat e sukseset, por edhe çmimin e paguar për sakrificat e bëra

Politikë

Kurti: Sot kujtojmë të arriturat e sukseset, por edhe çmimin e paguar për sakrificat e bëra

news image

Për nder të shënimit të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka organizuar pritje për personalitete të ndryshme në Prishtinë.

Me këtë rast, Kurti deklaroi se së fundi qëndroi në vende të ndryshme jashtë Kosovës, por se sonte u kthye në Prishtinë.

“Nga Tirana në Kukës nga Kukësi në Vlorë dhe nga atje në Prishtinë. Këto ishin tri ditët e mija të fundit , dje dhe sot në Shqipëri e sonte në Kosovë po kremtojmë 28 Nëntorin, këtë festë të shumëfishtë e me kuptim të shumëfishtë të kombit shqiptar. 28 Nëntori është data e ardhjes së Skënderbeut në Krujë, me flamurin e kuq e shkabën e zezë dy krenare në mes, është data e Ismail Qemalit në Vlorë, e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në prag të luftërave ballkanike, e 28 Nëntori është data e Adem Jasharit në Prekaz, e kryengritjes së UÇK-së për liri, për pavarësi e bashkim. Andaj të nderuar pjesëmarrës, zonja presidente Osmani, ministra e deputetë, shkëlqesi e ambasadorë, profesorë e intelektualë, gazetarë e sportistë, ju faleminderit që ndatë kohën për të na bërë bashkë në një ditë kaq të veçantë e të rëndësishme për neve. Sot kujtojmë të arriturat e sukseset, por edhe çmimin e paguar për sakrificat e bëra”, tha Kurti.

Ai theksoi se është e panumërt lista e figurave dhe personaliteteve historike që i lidhë 28 Nëntori, lista e atyre grave e burrave që u vetëmohuan e kontribuuan që ne të jemi dhe të jetojmë. Të jemi të lirë dhe të jetojmë më mirë.

“Republika e Shqipërisë dhe Kosovës kanë shumë histori e shumë sfida që i presin përpara. Por me punë të pandalshme e orientim të palëkundur evropianë e euroatlantike, sigurisht që bashkë do të fitojmë. Shqiptarët janë liridashës e popull demokratik, janë faktor i paqes, zhvillimit e sigurisë në Ballkan e Evropë. Ne e duam popullin tonë dhe nuk e urrejmë asnjë komb tjetër, pakicave kombëtare ua garantojmë të drejtat, ua dëgjojmë kërkesat, ua respektojmë dallimet dhe ua trajtojmë nevojat. E duam fortë gjuhën tonë shqipe, sepse jemi komb i gjuhës dhe sepse shqipja është e bukur, por i mësojmë edhe gjuhët e të tjerëve sepse duam bashkëpunim me kombet tjera dhe ndërveprim me kulturat e tjera”

“Lirinë për të cilën kemi luftuar e duam dhe e mbrojmë me demokraci dhe bashkim me mirëqenie e barazi. Sivjet festojmë 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, festojmë 15 vjetorin e shpalljes se pavarësisë, 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, 150 vjetorin e lindjes së Hasan Prishtinës. Gëzuar 28 Nëntori për jetë e motë”, përfundoi Kurti.

/GazetaSinjali/