image Kurti: S’ka garanci që edhe pas njohjes, Serbia nuk vazhdon me destruktivitet

Politikë

Kurti: S’ka garanci që edhe pas njohjes, Serbia nuk vazhdon me destruktivitet

news image

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë seancës së sotme të Kuvendit ku po diskutohet për dialogun, ka thënë se sekuencimi është i negociueshëm, por sipas tij, duhet të hapen fillimisht bisedimet.

“Sekuencimi është i negociueshëm, por njëherë duhet të hapen bisedimet, duhet të ndodhë një takim i nivelit të lartë ku fillon dialogu mbi bazën e propozimit evropian. Unë jam i interesuar sa më shpejtë aq më mirë, por nuk varet vetëm prej meje, por edhe nga pala tjetër dhe sidomos varet prej lehtësuesit. Do të thosha edhe prej një dinamike në mes të atyre dyve, sepse unë di biseda që i bëj unë me lehtësuesit me ndërmjetësit, por bisedat e  mes tyre nuk i di”, ka thënë Kurti.

Tutje Kurti ka thënë që duhet krijuar imunitet shtetëror, pasi sipas tij, s’ka garanci që edhe pas njohjes Serbia nuk vazhdon me destruktivitet.

“Ndërkohë që jam i interesuar që sa më shpejtë të fillojnë bisedimet në mënyrë që ta përmbyllim këtë dialog, duhet ta kuptoni që kjo nuk duhet të jetë në kurriz të qëndrueshmërisë tonë. Pala e cila duket e frustruar që po stërzgjatet dialogu, lexohet si dobësi nga pala tjetër. Në njërën anë, që unë kam interes që me shku gjithçka sa më shpejtë, në anën tjetër më duhet të dëshmoj që shteti i Kosovës pavarësisht a na njeh Serbia ose jo, ose kur është takimi i ardhshëm ka sukses edhe në ekonomi, drejtësi dhe çdo fushë tjetër. Pra, ne duhet ta forcojmë shtetin tonë pavarësisht qëndrimit destruktiv të Serbisë. Nuk ka kurrfarë garancioni që edhe pas njohjes reciproke Serbia do të vazhdojnë me destruktivitet ndaj neve. Kjo do të thotë që ne duhet të ndërtojmë imunitet shtetëror ndaj destruktiviteti të Beogradit zyrtar”, ka thënë Kurti.

/GazetaSinjali/