image Kurti: Shtëpitë duhet t'i bëjmë shkolla për fëmijët tanë, do të kujdesemi që të mos ndalet rryma

Kosovë

Arsim/ Kurti: Shtëpitë duhet t’i bëjmë shkolla për fëmijët tanë, do të kujdesemi që të mos ndalet rryma

news image

Kryeministri i vendit Albin Kurti duke folur për mësimin online që ka filluar të mbahet nga sot në Kosovë, ka thënë se, nëpërmjet teknologjisë, po synojnë që mësimi të jetë më tërheqës për nxënësit, shkruan Gazeta Sinjali.

Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook i ka lutur të gjithë prindërit që t’i ulin fëmijët e tyre para televizorit çdo ditë nga ora 11:15.

“Virusi Corona na ka mbyllur të gjithëve nëpër shtëpitë tona, dhe, ato duhet t’i bëjmë shkolla për fëmijët tanë. Nëpërmjet teknologjisë synojmë që mësimi të jetë më tërheqës për nxënësit. Mësimdhënia duhet ta hapë imagjinatën e nxënësve që ata të mësojnë më mirë e të dinë më shumë. Prindërve u kërkojmë që t’i ulin fëmijët e tyre para televizorit çdo ditë nga ora 11:15”, ka shkruar ai.

Tutje, kryeministri Kurti ka thënë se do të kujdesen që të ketë energji elektrike në tërë territorin e Kosovës.

“Po e mbajmë e-mësimin që të mos i privojmë nxënësit nga shkolla. Por, ky është edhe një rast që të gjithë ne si shoqëri të marrim pjesë në arsim e edukim si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës. Teksa 96% e amvisërive në Kosovë janë të lidhura në internet, si Qeveri do të kujdesemi edhe që të ketë energji elektrike në të gjithë territorin e Kosovës”, ka përfunduar ai./GazetaSinjali/

https://www.facebook.com/albini2017/photos/a.222845524882006/831972163969336/?type=3&theater