Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke mbajtur adresimin e tij në Seminarin e 102-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Kurti tha se shoqëria njerëzore sot është duke u sfiduar nga idetë e vjetra por jo të harruara të fashizmit.
“Në këtë mjedis bashkëkohor të sigurisë vlera njerëzore dhe shoqëria njerëzore është duke u sfiduar nga rilindja e ideve të vjetra por jo të harruara të fashizmit, politika hexhoministe dhe ekspasioniste e Rusisë, tendencat ruse për hexhemoni globale”, ka thënë Kurti.
Ai po ashtu tha se edhe kërcënimet ushtarake të Koresë së Veriut për lindjen e largët, janë indikatorët më të mirë për të treguar se sa serioze dhe delikate është situata e sigurisë.
Kurti ka shtuar se NATO-ja, si organizatë që është përgjegjëse për të promovuar vlerat demokratike, për të ndërtuar besimin, vazhdon të mbetet një aleancë e vendeve që synojnë që të mirëmbajnë paqen dhe stabilitetin në nivel global.
“NATO është e vetmja aleancë politike dhe ushtarake që synon të ruajë të arriturat e shoqërisë njerëzore dhe vlerat demokratike”, ka shtuar ai.