Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur për lidhjen e Rusisë me Serbinë duke folur për pushtimin e Ukrainës. Kurti, në Samitin e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Prishtinë, tha se nëse Serbia do të ishte një demokraci e vërtetë, nuk do të ishte kërcënim i madh i paqes në rajonin tonë.
“Historia shumë herë na ka treguar se sunduesit autokratik i japin llogari vetëm vetës dhe luftën e përdorin si lavdi për vetën, zgjerimin territorial apo përfitimit financiar. Në të kundërtën e kësaj llogaridhënia ndaj popullit i largon vendet demokratike nga lufta”, tha ai.
Kreu i ekzekutivit vlerëson se sikur Rusia të ishte vend demokratik nuk do të sulmonte kurrë Ukrainën dhe njësoj Serbia nuk do të ishte kërcënim për vendin tonë.
“Po të ishte Rusia vend demokratik me shumë gjasë nuk do ta sulmonte kurrë Ukrainën dhe ngjashëm po të ishte Serbia demokraci e vërtetë e jo shtet me një parti ku opozita nuk ka kurrëfar gjase që të fitojë nuk do të ishte një kërcënim kaq i madh ndaj paqes afatgjate përfshirë edhe rajonin tonë” tha Kurti.
“Serbia ka mbyllur sytë ndaj agresionit rus. Presidenti i Serbisë nuk ka shfaqur asnjë lloj problemi në kuptimin e nënshkrimit të marrëveshjeve me aleatin e tij rus”, tha Kurti.
Tutje, kreu i Qeverisë theksoi se Serbia ka dashur t’i sigurojë edhe armët nga Rusia, investimet nga Kina, fondet evropiane por edhe tolerancën amerikane.
Ai shtoi Kosova ndryshe nga Serbia ka treguar qëndrim tjetër lidhur me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.