Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalimit hyrës në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, bëri të ditur se së shpejti do të propozojnë nivelin e pagës minimale në vend.
Paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.
“Në koordinim me Këshillimin Ekonomik Social së shpejti do të propozojmë nivelin e pagës minimale”, tha Kurti.
Në Programin e Qeverisë së Kosovës për periudhën 2021-2025, shkruan se paga minimale do të rritet në 250 euro.
Nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat janë shprehur se kjo nuk është e mjaftueshme, duke kërkuar të jetë 350 euro.
Pagat nuk kanë pësuar ndryshim që nga viti 2011.