Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te shtatoret e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës. Mirëpo Kurti foli edhe për krizën energjetike.
Ai tha se raporti i ZRrE-së për shtrenjtim të rrymës nuk është fatal e as final.
“Raporti i ZRrE-së nuk është merre ose leje, pra nuk është diçka as finale dhe as fatale. Por, është një raport që pret komentet dhe pas atyre komenteve që duhet të dorëzohen para orës 16:00 të kemi një vendim meritor sot”.
Kurti i pyetur për shtrenjtimin e rrymës tha se gjatë ditës do të kemi mjaftueshëm komente tek Zyra e Rregullatorit të Energjisë për zgjidhjen më të mirë të mundshme.
“Besoj që deri në orën 16:00, sot do të kemi mjaftueshëm komente te ZRrE në mënyrë që të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme në këtë krizë energjetike, kur që jo vetëm zgjidhje ideale, por as zgjidhje optimale nuk ka. Unë po e ritheksoj që nuk është e mundur që të mos ketë as subvencion, as shtrenjtim dhe as çkyçje”, tha Kurti.