image Kurti priti në takim diplomaten britanike, e njofton për vizionin e Asociacionit sipas modelit kroat

Politikë

Kurti priti në takim diplomaten britanike, e njofton për vizionin e Asociacionit sipas modelit kroat

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Mbretëri të Bashkuar, Ilir Kapiti, gjatë ditës së djeshme mirëpriti Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor dhe Mediteran në Ministrinë për Punë të Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim të Mbretërisë së Bashkuar, Victoria Billing, e shoqëruar nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott dhe nga ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, Denis Keefe.

“Takimi filloi me urimin e kryeministrit Kurti për Kurorëzimin e Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla, fundjavën që lamë pas. Ai i uroi mirëseardhje në Kosovë znj. Billing, të cilën e njoftoi për zhvillimet në vend, me theks te progresi ekonomik dhe demokratike në dy vitet e fundit, dhe për bashkëpunimin e afërt me ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, si rezultat i raporteve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas njoftimit thuhet se në takim u diskutuan edhe zhvillimet në rajon dhe marrëdhëniet me Serbinë, me theks te zbatimi i Marrëveshjes Bazike të arritur me 27 shkurt në Bruksel.

“Kryeministri Kurti e njoftoi znj. Billing për takimin e nivelit të lartë të javës së kaluar, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, edhe për vizionin e propozuar në atë takim, sipas modelit kroat, përkitazi me nenin 7 të Marrëveshjes Bazike. Ai theksoi se Marrëveshja duhet të zbatohet e plotë dhe pa kushtëzime, dhe se Republika e Kosovës në vazhdimësi është dëshmuar palë e përgjegjshme, konstruktive dhe kreative”, thuhet në njoftim.

/GazetaSinjali/