Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pritet të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në ceremoninë mortore të ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, shkruan Gazeta Sinjali.
Raportohet se bashkë me presidenten, Vjosa Osmani, zyra e të cilës e ka konfirmuar pjesëmarrjen, për në Washington do të udhëtojë edhe Kurti.
Ceremonia e varrimit të ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright do të mbahet të mërkurën, më 27 prill, në Katedralen Kombëtare të Washingtonit.
Pjesëmarrja në ceremoni është e mundur vetëm me ftesa, ndërsa ajo do të transmetohet direkt në platforma digjitale.
Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë, u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare.