Kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku me kandidaten për presidente, Vjosa Osmanin, kanë kryer homazhe te Kompleksi Memorial në Krushë të Madhe, në 22-vjetorin e masakrës.
Kurti ka deklaruar se në bisedimet me Serbinë çështje me prioritet do të jenë krimet serbe në Kosovë dhe të pagjeturit, duke thënë se do kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi.
Ai ka thënë se Qeveria do krijojë kushtet që prokuroria të jetë aktive dhe gjyqësori të jetë efikas në kryerjen e punëve në gjykimin dhe dënimin e kriminelëve të luftës.
“Drejtësia mungon dhe është obligim i yni që të angazhohemi maksimalisht me institutin e ardhshëm për krimet e kryera gjatë luftës dhe me aktivizimin e Prokurorisë Speciale në mënyrë që të arrijmë t’i shërojmë plagët e luftës, duke zbardhur fatin e të pagjeturve dhe duke sjellë drejtësi”, ka deklaruar Kurti.
Osmani ka thënë se Krusha e Madhe dhe masakrat e kryera janë “zëri i lartë i ndërgjegjes që thërret për drejtësi”. Ajo ka shtuar se duhet kërkuar drejtësi për ta krimet serbe në Kosovë. /Gazeta Sinjali/