I mandatuari për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, e ka prezantuar planin qeverisës të koalicionit të ri gjatë mandatit 4-vjeçar.
Kurti ka thënë se qeveria e tij do t’i ketë 15 ministra dhe rreth 33 zëvendësministra që siç tha ai, do t’i zvogëlojnë shpenzimet dhe këto para mund të përdoren për investime tjera.
Kurti përmendi edhe rritjen e vendeve të punës e zhvillimin ekonomik, si pjesë të programit qeverisës.
Kreu i VLV-së ka thënë se do të shuhet Agjencia e Privatizimit dhe ajo do të kalojë në agjenci brenda qeverisë.
Plani për ta bërë të detyrueshëm shërbimin ushtarak mori vëmendje të veçantë gjatë fjalimit të Kurtit.
Për punëtorët ka premtuar kujdes të veçantë. Sipas tij do të punohet vetëm 8 orë në ditë e 40 orë në javë. Ndërkohë ka thënë se për të kontrolluar një gjë të tillë do të angazhojë rreth 400 inspektor.
Ndërkohë teksa ka folur për buxhetin, Kurti ka thënë se përgjatë mandatit të parë do të kenë një buxhet prej 3 miliardë eurove.
Gjithashtu ka përmendur investimet ne teknologji, dhe përkushtim për rend dhe sundim të ligjit. Kurti ka përmendur edhe Vettingun që do të kryhet në bashkëpunim me ndërkombëtarët.
Gjithashtu Kurti ka thënë se do të kërkojë llogari dhe dëmshpërblim nga Serbia për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës. /Gazeta Sinjali/