image Kurti pret në takim deputetët britanikë, diskutojnë për shtimin e bashkëpunimit mes dy vendeve

Politikë

Kurti pret në takim deputetët britanikë, diskutojnë për shtimin e bashkëpunimit mes dy vendeve

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në zyrën e tij deputetët e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers nga radhët e Partisë Konservatore dhe Stephen Doughty, Alex Sobel dhe Luke Pollard nga radhët e partisë Laburiste.

Ata janë pjesë e delegacionit nga Unioni Ndërparlamentar Britanik të cilët po qëndrojnë në Kosovë në një vizitë zyrtare. Doughty, Sobel dhe Pollar njëherit janë edhe anëtarë të kabinetit nën hije të Partisë Laburiste.

I nderuar nga vizita e tyre në Kosovë, Kurti tha se Britania e Madhe është mike, partnere dhe aleate e rëndësishme e Republikës së Kosovës dhe popullit të saj.

Nyje e fortë e lidhjes ndërmjet Kosovës dhe Britanisë së Madhe është intervenimi i NATO-s, në vitin 1999. 23 vjet më pas, Kosova është tregim i dyfishtë i suksesit. Së pari, sukses i ndërhyrjes perëndimore dhe NATO-s për të ndaluar gjenocidin serb. Dhe së dyti, është dëshmi që zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore funksionojnë krah për krah.

Ai tha se është shumë e rëndësishme që të mbrohet rrëfimi i ndërhyrjes së suksesshme të NATO-s në Kosovë, sepse kështu mbrohet edhe historia e NATO-s.

Deputetët u shprehën se Kosova ka mbështetjen e plotë ndërpartiake në Britani të Madhe, ndërkaq shprehën interesimin për mundësitë dhe format e shtimit të bashkëpunimit në fusha si ajo e infrastrukturës, energjisë së ripërtëritshme, shkëmbimit tregtar dhe sigurisë.

Kryeministri tha se Kosova e vlerëson lart mbështetjen ndërpartiake që gëzon në Britani të Madhe dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës e ka interesimin, vullnetin dhe gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar më shumë dhe më mirë në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Ai po ashtu tha se ndihma dhe mbështetja e Britanisë së Madhe është shumë e rëndësishme në synimet e Republikës së Kosovës për t’u bërë pjesë e Programit të NATO-s për Partneritet dhe Paqe dhe anëtare e Këshillit të Evropës, në të cilën organizatë tashmë edhe ka aplikuar.

Gjatë takimit u diskutua edhe për pasojat dhe rreziqet e agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, që javën tjetër shënon muajin e pestë, si dhe veprimet e menjëhershme që Republika e Kosovës ka ndërmarrë në linjë me politikat e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe solidarizimin me Ukrainën.

/GazetaSinjali/