Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Edona Maloku Bërdyna, pritën në takim Moshe Landsman, bashkëthemeluesin e Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, shoqëruar nga Jeta Deva nga Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë dhe profesorët e Universiteti të Prishtinës, Mytaher Haskuka dhe Njomza Llullaku.
Ky takim vjen pas ceremonisë solemne të kësaj jave kur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e vlerësoi Landsman me çmim nderi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit në Kosovë, me theks të veçantë në fushën e psikologjisë.
Në një takim miqësor, u diskutua për rëndësinë e punës së Landsman, i cili përveç në rrafshin akademik ka ndihmuar edhe në ngritjen e qendrave të ndryshme të shëndetit mendor në Kosovë, duke ofruar përkrahje të vazhdueshme profesionale për profesionistët e psikologjisë në vend.
Landsman, tashmë i pensionuar, ka lënë pas vetes një karrierë të vlefshme si profesor e psikolog në Izrael që nga vitet 1970-ta, ndërsa lidhja e tij me Kosovën daton që nga paslufta kur ai për herë të parë erdhi të ndihmonte të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
Në Departamentin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës, i pari i pas-luftës në Kosovë, Landsman ka qenë profesor për shumë vite dhe ka lënë gjurmë në diplomimin e shumë gjeneratave të studentëve të psikologjisë.
Kurti e falënderoi Landsman për kontributin e tij kyç në themelimin dhe zhvillimin e fushës së Psikologjisë e cila ka rëndësi thelbësore për mirëqenien dhe zhvillimin e shoqërisë.
Zëvendësministrja Arsimit, në anën tjetër, si psikologe që ka dalë nga gjenerata e parë e këtij departamenti, foli për modelin inspirues që Landsman ka lënë sidomos sa i takon kultivimit të angazhimit për të mirën e përgjithshme.