Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën e Punëtorëve ka dhënë disa premtime sa i përket rritjes së pagës minimale, shkruan Gazeta Sinjali.
Kurti ka thënë se paga minimale do të rritet fillimisht në 250 euro dhe do ta përjashtojë nga tatimi në të ardhurat pensionale.
Kështu sipas tij do të krijohet mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës dhe do bëjë përafrimin e tregut të punës me arsimin profesional.
“Ne kemi fituar duke premtuar punësim e drejtësi, tani do të punojmë për t’i sjellur të dyja këto sidomos në tregun e punës. Do të krijojmë kushte që mundësojnë dhe lehtësojnë krijimin e vendeve të reja të punës dhe do ta përafrojmë tregun e punës me arsimin profesional. Do të punojmë me prioritet për punësimin e grave, të rinjve dhe komuniteteve joshumicë. Do të marrim masa që sigurojnë që çdo vend pune të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara dhe të ketë jo më shumë se 40 orë pune të rregullt në javë“, ka shkruar Kurti.
Kryeministri Kurti ka premtuar pesëfishimin e numrin të inspektorëve në vende të punës.
“Do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve që të kemi siguri në punë dhe të sigurohemi për korrektimin e padrejtësisve që mund t’u bëhen punëtorëvë në vendet e tyre të punës. Pagën minimale do ta rrisim fillimisht në 250 euro, do ta përjashtojmë nga tatimi në të ardhurat pensionale, dhe do ta rishikojmë vazhdimisht në mënyrë që ajo të reflektojë ngritjen e të ardhurës kombëtare në vend”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti nuk ka lënë pa lëshuar akuza ndaj atyre që ai i quan “multimilionerë”, e të cilët sipas tij fituan nga pasuria që u prodhua kolektivisht.
“Por shpërndarja e fryteve të punës nuk u bë ashtu si u krijuan ato – pasuria e prodhuar kolektivisht u përvetësua e akumulua individualisht. Kështu u krijuan disa multimilionerë, gjersa pjesa dërrmuese që ishin punëtorë të ndershëm ose punojnë në kushte të vështira ose mbesin shpejt të papunë meqë janë lehtësisht të zëvendësueshëm. E rëndësinë e këtyrë punëtorëve më së miri e kemi parë gjatë kësaj pandemie: pa punën e mjekëve e infermierëve, policëve e zjarrfikësve, bukëpjekësve e farmacistëve, pastruesve e shitësve, kapitali i milionerëve nuk ka asnjë vlerë. Paçka se edhe ai s’është gjë tjetër përpos punë e akumuluar nga shumica, por e përvetësuar nga disa”, ka shkruar tutje ai.
Kreu i Qeverisë ka premtuar se do të sigurojnë që zhvillimi i ekonomisë të bëhet paralelisht me përmirësimin e organizimit sindikal të punëtorëve.
“Qeveria jonë do të jetë partnere e ngushtë e organizimit të punëtorëve. Do të sigurohemi që zhvillimi i ekonomisë dhe riindustrilizimi i vendit të shkojnë paralel me përmirësimin e kushteve për organizim sindikal të punëtorëve, sidomos në sektorin privat ku një gjë e tillë është tejet e nevojshme. Do të punojmë bashkë që punëtorëve t’u mundësohet punësimi, e punës së tyre virtyti e dinjiteti”, përfundoi ai.