image Kurti: Pranuam që Njësitë Speciale t’i zëvendësojmë me trupat e KFOR-it, Serbia refuzoi t’i heq barrikadat

Politikë

Kurti: Pranuam që Njësitë Speciale t’i zëvendësojmë me trupat e KFOR-it, Serbia refuzoi t’i heq barrikadat

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media bashkë me Kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, ka folur për situatën e krijuar në veri, ku ka thënë se ai ka pranuar që Njësia Speciale të zëvendësohet nga trupat e KFOR-it, mirëpo që këtë nuk e ka bërë pala serbe, shkruan Gazeta Sinjali.

Në këto momente që ne jemi këtu, po zhvillohen takimet në Bruksel. Bislimi do zhvillojë së pari ndaras me emisarin special, Miroslav Lajçak dhe më pastaj ndoshta do të ketë takim edhe me homologun e tij nga Serbia”, ka thënë ai.

Uroj e shpresoj që të gjindet zgjidhje në Bruksel. Gatishmërinë e kemi treguar edhe të hënën në mëngjes kur KFOR-i tha një propozim, që nënkuptonte heqjen e barrikadave, dhe zëvendësimin e Njësive Speciale nga pjesëtarët e NATO-s apo KFOR-it. Policia kufitare do të ngelej në Bërnjak e Jarinje, dhe reciprociteti do vazhdonte. Sa i përket orareve të tërheqjeve, kemi ngelur që të bisedojmë. Në dakordimin në parim që ia kemi dhënë gjeneralit të KFOR-it. Ne kemi qenë dakord, mirëpo Serbia e ka refuzuar”, ka shtuar Kurti.

Në javën e kaluar Serbia ka refuzuar dialogun, ndërkaq në këtë javë e ka refuzuar marrëveshjen e propozuar nga KFOR-i. Kemi qenë shumë gjeneroz dhe në parim jemi dakorduar me propozimin që e ka dhënë Komandanti i Përgjithshëm i KFOR-it”, ka thënë ai.

Kurti gjithashtu ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq po komunikon me tone të papranueshme dhe me një gjuhë të viteve të 90-ta.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur provokimet në kufi duke përfshirë edhe incidentet në Zveçan e Zubin Potok.

Më shumë se 10 mijë vetura nuk kanë pasur kurrfar problemi që të marrin tabela të përkohshme. Sado që rrugët janë të bllokuara dhe sado që Serbia është me Rusinë dhe me ambasadorin rus, ne duhet që të ndërmarrim masa për sigurinë e kufijve tanë dhe vendkalimet tona. Ne do të donim që të mos ketë barrikada e sulme, siç ka qenë në Zubin Potok dhe Zveçan me elemente terroriste, por gjithashtu të jenë edhe kufitarët tanë dhe jo Njësitë Speciale. Mendoj që kriza kufitare është për shkak të papranueshmërisë së Serbisë. Vuçiq flet me gjuhën e viteve të 90-ta. Nuk mund të sillni tanke afër kufirit, të hidhni në erë Qendrat e Regjistrimit e më pas të sillni ambasadorin rus. Unë jam për zgjidhje të re që nënkupton gjithpërfshirje dhe reciprocitet. Nuk ka barazi pa reciprocitet”, tha ai. /GazetaSinjali/