image Kurti: Po të mos ishte policia, do të digjeshin edhe pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak

Politikë

Kurti: Po të mos ishte policia, do të digjeshin edhe pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë mbajtur konferencë për media, pas sulmit në veri, ku pas mesnatës janë djegur me granata dore zyret e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok dhe Zveçan, shkruan Gazeta Sinjali.

Ai ka thënë se po të mos ishin policia pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak do të digjeshin. Sipas tij aty ku ka policë nuk ka incidente.

“Paramendoni se çfarë do të ngjante në pikat 1 dhe 31 sikur të mos ishte aty policia speciale. Sulmet e sotme janë dëshmi se kjo është synuar edhe në pikat në Jarinje dhe Bërnjak. Sot u vërtetua se ne kemi pika kufitare sepse kemi njësi speciale të policisë. Asnjë incident në asnjë pikë kufitare në ditën e gjashtë të vendimit të zbatimit të Qeverisë së Kosovës. Aty ku ka polici të Kosovës nuk ka incidente aty ku nuk ka polici ka incidente siç ndodhi në Zubin Potok”, tha ai.

Tutje ai ka shtuar se Serbia po synon që të nxisë konflikt rajonal. Sipas tij vendimi i Qeverisë nuk prek qytetarët serbë të Kosovës.

“Serbia po sjell afër kufirit helikopterë dhe avionë luftarak rusë, Serbia po provon të nxis konflikt rajonal. Pengesat dhe bllokadat përfshirë veprimet e sotme kriminale janë të tilla sepse krimi ka qenë e vetmja formë e mbijetesës për ta. Vendimi për targat nuk u drejtohet qytetarëve serbë të Kosovës, ky vendim është masë e barabartë që shteti serb aplikon për qytetarët e Kosovës. I ftojmë qytetarët në veri pa dallime etnike të respektojnë ligjet dhe të mos ndikohen nga ata që nxisin dhunë.“, shtoi Kurti.

Ai ka bërë të ditur se deri më sot janë lëshuar mbi 9 mijë targa të përkohshme.

Mbi 9 mijë targa të përkohshme janë dhënë deri më tani, duket që këtu e kanë hallin zjarrvënësit nga Beogradi”, tha kryeministri.

/GazetaSinjali/