Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapje të ekspozitës “Njeri ish ma i fortë se guri”, ka thënë se për vite me radhë kjo temë ka qenë tabu në shoqërinë kosovare.
Ai, në fjalimin e tij, ka deklaruar se Serbia përdhunimin e ka përdorur si mjet të luftës, duke shkatërruar shumë jetë.
“Është e qartë që kjo luftë ka lënë plagë të mëdha te secili prej nesh përgjithësisht, e te thella te bartësit e dëmeve specifike posaçërisht. Një kategori e veçantë, për të cilën është filluar të diskutohet shumë vonë, janë gratë dhe burrat e përdhunuar në këtë luftë”.
“Përdhunimi është përdorur si mjet i luftës nga okupatori serb, ka shkatërruar shumë jetë, ka hapur shumë plagë, e ka shuar shumë histori. Për vite me radhë kjo temë ka qenë tabu në shoqërinë tonë. Akoma në shumë raste vazhdon të jetë tabu. Megjithatë, më e pakta që ne mund të bëjmë për të gjitha gratë dhe burrat e përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë është që të flasim hapur me ta – jo për ta”, ka thënë Kurti./GazetaSinjali/