Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka përshkruar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq se “doli që nuk ishte kalë, por dhelpër”, teksta fliste për raportin e perëndimit ndaj Serbisë.
Gjatë një interviste që Kurti të dielën e dha për gazetën kroate “Veçernji List”, Kurti tha se Brukselit dhe Uashingtoni kanë vënë bast për Vuçiqin.
Por ai shton se ky bast ka dalur të jetë i gabueshëm.
”Brukseli dhe Uashingtoni kanë vënë bast për kalin e gabuar në Serbi, në presidentin e atjeshëm. Në fund doli që nuk ishte fare kalë, por dhelpër. Askush as nuk e ka imagjinuar që një vit e pesë muaj pas agresionit rus në Ukrainë, Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës, por madje do të lejonte që Sputniku të mbante bazën rajonale në Beograd. Në vend të reflektimit dhe introspeksionit të tyre, ata më godasin mua”, ka thënë Kurti.
Më tutje, Kurti tha se perëndimi e ka lejuar Vuçiqin që të mos nënshkruajë në Bruksel si dhe në Ohër.
Pos kësaj, sipas Kurit, Vuçiqi është falur nga perëndimi, ndërkaq Kosova është ndëshkuar.
“Brukseli dhe Uashingtoni e lejuan Vuçiqin që të mos e nënshkruante marrëveshjen nga Brukseli dhe Ohri, pastaj që ta shkelte atë marrëveshje dhe ja ku jemi në një situatë në të cilën ekziston asimetri drastike në qasje. Masa ndëshkuese ndaj meje, dhe nga ana tjetër falje për presidentin Vuçiq. Kjo është një padrejtësi. Por thonë se këto masa do të jenë afatshkurtra, të përkohshme dhe të kthyeshme, andaj të shohim. Me faktorët ndërkombëtarë, edhe evropianët edhe amerikanët, kemi komunikim dhe koordinim të rregullt, por kemi edhe dallime të vogla, herë përsa u përket taktikave, e ndonjëherë, eventualisht, strategjive. Por përsa iu përket vlerave, interesave dhe qëllimeve nuk kemi asnjë dallim”, ka thënë Kurti.