Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas rritjes së numrit të rasteve të reja me koronavirus dhe vdekjeve nga nga ky virus, shkruan Gazeta Sinjali.
Kurti përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook ka kritikuar qeverinë e tanishme për krizën nëpër të cilën thotë se është futur shëndetësia, demokracia dhe ekonomia e Kosovës.
Me veprimet e saj për të shpëtuar ekonominë, Kurti thotë se Qeveria Hoti e mbushi morgun e spitalit me të vdekur.
“Na e hoqën sigurinë shëndetësore gjoja për hir të lirisë ekonomike. Tash po i humbim të dyja, sepse kundërthënia është e rrejshme. Shëndetësia dhe ekonomia janë të ndërvarura dhe është iluzion të mendojmë se mund të zgjedhim njërën mbi tjetrën. Këta erdhën si çlirimtarë të biznesit dhe turizmit, por po e mbushin morgun e spitalit. Numri i vendeve evropiane që e kanë futur Kosovën në listën e zezë po shtohet nga dita në ditë. Ky është krimi më i madh politik e qeveritar mbi njeriun e Kosovës, mbi qytetarin e Republikës”, tha ai.
Sipas tij, kjo qeveri do të mbahet mend si më e dobëta dhe më e mbrapshta e paluftës. Kurti vlerëson se kjo qeveri don pakt social, sipas të cilit, të moshuarit dhe ata që kanë sëmundje të tjera shoqëruese bën të vdesin.
“Përgjatë atyre katër muajve, ne u patëm kujdesur për sistemin imunitar të qytetarëve dhe imunitetin e sistemit shëndetësor. Jemi kujdesur për shëndetin publik të popullsisë dhe për mbijetesën e rimëkëmbjen e ekonomisë. Duke mos u angazhuar për të gjitha këto e duke mos i kuptuar të lidhura, këta po na i humbin të gjitha. Tash, kjo qeveri don pakt social, don marrëveshje që s’është aspak xhentëllmene, me qasjen: pleqtë bën të vdesin, ata që kanë sëmundje shoqëruese bën të vdesin. Është në rrezik asgjë më pak se etika dhe vlerat tona kombëtare e njerëzore”, tha tutje ish-kryeministri.
Sidoqoftë, Kurti përfundon se për gjithë situatën e krijuar ka një zgjidhje dhe sipas tij zgjidhja e kësaj situate është procedimi i Ligjit Anti – COVID të cilin e ka inicuar kryeparlamentarja, Vjosa Osmani./Gazeta Sinjali/