image Kurti për masakrën e Izbicës: Dhimbjet i kemi të mëdha, vetëm drejtësia mund të pretendojë ngushëllim

Kosovë

Përvjetor/ Kurti për masakrën e Izbicës: Dhimbjet i kemi të mëdha, vetëm drejtësia mund të pretendojë ngushëllim

news image

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 147 viktimat e masakrës së Izbicës së Skenderajt dhe të vrarët e familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu nga Besiana në 21 vjetorin e vrasjes së tyre, shkruan Gazeta Sinjali.

Kurti ka thënë se kriminelët serbë që kryen këto vrasje janë ende të lirë. Ata, sipas Kurtit, mbajnë pozita të ndryshme në ushtrinë, policinë e administratën e Serbisë.

“Kriminelët serbë që i kryen ato vrasje janë ende të lirë. Sigurisht se ka prej tyre që janë zyrtarë nëpër institucione shtetërore atje. Ndonjëri ushtarak a polic, të tjerë nëpër administratë e kushedi ku tjetër. Viktimat kanë emra e mbiemra, por edhe kriminelët po ashtu”, ka shkruar kryeministri në detyrë.

Pas këtyre vrasjeve, Kurti tha se asnjë pranverë nuk mund ta shijojë populli i Kosovës, duke i kujtuar më të dashurit e tyre të vrarë. Ai thotë se vetëm drejtësia mund të ngushëllojë dhimbjen e madhe për ta.

“Asnjë pranverë, këtu e 21 vite, nuk mund ta shijojmë. Gjithandej Kosovës, për çdo ditë të këtyre muajve i përkujtojmë më të dashurit tanë, familjarët e shoqërinë tonë të cilët na i mori makineria fashiste e shtetit serb. Dhimbjet i kemi të mëdha, kujtimet i kemi të freskëta. Vetëm drejtësia mund të pretendojë ngushëllim”, ka shkruar kryeministri në detyrë./Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/albini2017/posts/836470866852799