Me rastin e hapjes së Zyrës në Kosovë të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, kryeministri Albin Kurti mori pjesë në ngjarjen ceremoniale të kësaj hapjeje.
Nën mesin e liderëve të bizneseve shqiptaro-gjermane, kryeministri Kurti përgëzoi Unionin e Bizneseve të cilët, siç tha ai, kanë hedhur një hap shumë të rëndësishëm në përmbushjen e premtimit për të shërbyer si urë e fuqishme ndërlidhëse midis Kosovës dhe Gjermanisë, dy shteteve të cilat gëzojnë marrëdhënie të shëndosha politike, ekonomike, kulturore, diplomatike e tregtare, njofton ZKM.
“Unë e përgëzoj Unionin që ofron një platformë të këtillë bashkëpunimi, sepse janë ura jonë ekonomike dhe tregtare me Bashkimin Evropian, në veçanti me Gjermaninë, dhe jam i interesuar që të shohim se a ka mënyra të reja, të tjera, se si ta bëjmë këtë lloj bashkëpunimi edhe në fusha të cilat nuk i kemi bërë deri më tani, përveç se ta shtojmë intensitetin aty ku tashmë bashkëpunimi po ndodhë”, deklaroi kryeministri para të pranishmëve.
Kurti shtoi se bizneset kosovare po bëhen gjithnjë e më shumë konkurruese në tregun global dhe për një arritje të tillë bashkatdhetarët kanë një rol të pazëvendësueshëm përmes krijimit të mundësive për ndërmarrjet tona lokale në skenën ndërkombëtare.
“Rrjedhimisht kjo po dëshmon se si ne po bëhemi vend i orientuar kah eksportet, duke u përfshirë në tregun ndërkombëtar me produkte ushqimore dhe joushqimore”.
Sipas kryeministrit, “me mërgatën ndajmë edhe vlera të përbashkëta, siç është së fundmi edhe sistemi dual që tashmë e kemi me 12 profile, në 21 shkolla, në 14 komuna anembanë Kosovës, me ç’rast përveç forcimit të ekonomisë, mundësive të reja për punësim dhe zhvillimit të aftësive, ndërtojmë themelin për të mësuar gjatë gjithë jetës”.
Ai tha se Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet ekonominë e vendit duke i përkrahur bizneset përmes subvencionimit të kredive investive, me Ligjin për Investime të Qëndrueshme në bazë të së cilit edhe po themelohet Agjencia për Investime dhe Eksport, me synim të promovimit të mjedisit e të bërit biznes në Kosovë dhe me Kosovën.
“Projektet preliminare të investimeve për përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes deri në vitin 2030 do të jenë mbi 10 miliardë euro. Mbi 50 projekte infrastrukturore përafërsisht rreth 5 miliardë euro ku bëjnë pjesë transporti me 2.5 miliardë, energjia me 1.5 miliardë dhe mjedisi me 1 miliard, dhe projekte kapitale të cilat vetëm në vitet 2023-2024 janë mbi 6 mijë me përafërsisht 1.7 miliardë, dhe e fundit por jo për nga rëndësia siç thuhet mbi 1.2 GW shtesë të kapaciteteve energji të ripërtëritshme”, vazhdoi kryeministri.
Duke falënderuar ndërmarrësit për kontributin e tyre, kryeministri Kurti ritheksoi se fokusi i Qeverisë së tij mbetet në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe zhvillimit shoqëror, ku progresi është i pakthyeshëm.