image Kurti për CNN: Nuk e dorëzoj Republikën demokratike para një regjimi fashist

Politikë

Kurti për CNN: Nuk e dorëzoj Republikën demokratike para një regjimi fashist

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti folur në mediumin prestigjioz amerikan CNN për tensionet e ngritura në veri dhe pasojat që erdhën pas tyre, ku u shpreh se nuk mund ta dorëzojë Republikën demokratike përpara një regjimi fashist.

I pyetur për reagimet e ndërkombëtarëve dhe ndëshkimet që erdhën sot gjatë ditës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si përjashtimi i Kosovës nga Defender Europe 2023, Kurti ka thënë se fillimisht ndërkombëtarët kanë njohur rezultatin e zgjedhjeve, dhe meqenëse të njëjtit e kanë njohur këtë rezultat, atëherë kryetarët janë ata që duhet të hyjnë në objektet e komunës.

“Të gjitha trupat ndërkombëtare e njohën rezultatin e zgjedhjeve. Posa të njohësh këtë rezultat, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në objektet e komunave. Kush tjetër duhet të shkojë në këto objekte, nëse jo kryetarët?”, ka pyetur Kurti.

Po ashtu, Kurti tha se nuk do ta dorëzoj Kosovën.

“Nuk do ta dorëzoj Republikën demokratike për shkak të një regjimi fashist”, ka vazhduar ai.

Ai ka thënë se bandat e dhunshme që sulmuan Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe gazetarët, dirigjohen nga Serbia.

“Ne kemi shumë video dhe foto që shfaqin milicinë serbe duke qenë pjesë e bandave të dhunshme. Disa nga ta vijnë nga Kosova, por disa edhe nga Serbia. Serbia fqinje është autokraci pro-ruse”, ka thënë ai.

“Ata kanë urdhëruar këtë të ashtuquajtur xhandarmëri, për të shkaktuar trazira në Kosovë”, ka vazhduar Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka theksuar se Kosova nuk mund ta privilegjojë një komunitet të vetëm.

“Kemi një komunitet serb në Kosovë, që është 5% e popullsisë. Ne duam të jetojmë në një shoqëri multikulturore, por s’duam të kemi një minoritet të privilegjuar, sepse Beogradi do kompensim për bombardimin nga NATO-ja në kohën e Millshoeviqit”, ka deklaruar Kurti.

/GazetaSinjali/