Gjatë seancës së sotme të mbajtur në Kuvendin e Kosovës është miratuar buxheti për vitin 2022, miratimi u bë në një seancë të jashtëzakonshme me 65 vota pro, shkruan Gazeta Sinjali.
Lidhur me këtë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky buxhet do të jetë buxhet i zhvillimit, pasi me 40 milionë euro do t’i mbështesin prodhuesit vendor, ndërsa me 40 milionë euro tjera do ta mbështesin ringritjen e ndërmarrjeve publike si Trepça e Telekomi, 70 milionë euro për bujqësinë.
“Punësimin e garantuar për të rinjtë kemi ndarë edhe 20 milionë euro. Krijimi i vendeve të reja të punës është prioritet i koduar edhe në këtë buxhet. Ky do të jetë buxhet i mirëqenies dhe solidaritetit sepse kemi ndarë 45 milionë euro për shtesat për lehona dhe fëmijë, sepse kemi ndarë edhe 35 milionë euro për t’u siguruar se asnjë pension nuk mbetet nën 100 euro, dhe secilës familje në asistencë sociale shtesa prej 30% i bëhet e përhershme”, ka shkruar Kurti në një postim në profilin e tij në Facebook.
Ai po ashtu tha se ky do të jetë edhe buxhet i investimeve, pasi sipas tij, mbi 700 milionë euro do të investojnë në arsim, shëndetësi, kulturë, sport, infrastrukturë dhe siguri.
Buxheti për vitin e ardhshëm është 2.7 miliardë euro./GazetaSinjali/