Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur për herë të parë lidhur me aferën e përgjimeve ku është e përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila dhe nënkryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiq, raporton Gazeta Sinjali.
Në një prononcim për media gjatë vënies së gurthemelit të Qendrës Multifunksionale në Podujevë, Kurti ka thënë se qeveria e tij ka zero varësi nga Lista Serbe.
Ndërsa për Kusari Lilën, ai u shpreh se si shefe e deputetëve e ka për detyrë të sigurojë sa më shumë vota në Kuvend.
“Së pari, aty shefja e grupit parlamentar dëgjohet disa sekonda e shumë minuta ka interpretime paraprake partizane në mënyrë që njerëzit të mos mendojnë vetë për ato që po dëgjojnë, e që qartazi është incizim i cili është i gjymtuar, i redaktuar dhe rrjedhimisht do të duhej që organet e drejtësisë të merren me të. Shefja e grupit tonë parlamentar natyrisht jo vetëm që komunikon e bashkëbisedon me shefat e grupeve të tjera parlamentare, por ajo e ka për detyrë që për çdo projektligj që e sponsorizon Qeveria të sigurohen sa më shumë vota. Ju e dini shumë mirë se Qeveria ka zero varësi nga Lista Serbe dhe kjo e ka bërë pushtetin tonë edhe demokratik, edhe liberal edhe progresist si asnjë tjetër në Kosovën e pavarur”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se rasti i incizimit të Kusari-Lilës është “luftë hibride nga Serbia.
“Unë as që kam komunikuar, e as takuar, ndonjë herë personin në fjalë. Keni kujdes sa i përket luftës hibride e cila bëhet nga Serbia, kundër shtetit të pavarur dhe pushtetit demokratik në Kosovë. Janë duke u përpëlitur si autokraci që janë në fqinjin tonë verior andaj edhe po përpiqen që me incizime, insinuata të ndryshme të shkaktojnë konfuzion tek opinionin publik në Kosovë, por populli jonë është edhe demokratik edhe i qëndrueshëm”, ka shtuar në komentin e incizimeve ku përmendet në disa raste emri i Milan Radojiçiqit, nënkryetar i Listës Serbe, e person që kërkohet nga autoritetet e Kosovës për disa vepra penale dhe i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndryshe, Nacionale tash e disa ditë është duke publikuar audioincizime të bisedës së shefes së GP të VV-së dhe zyrtarit të Listës Serbe, e ku thuhet të jetë përfshirë në bisedë edhe Milan Radoiçiq, i dyshuar për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq dhe i cili është në listën e zezë të SHBA-së.