Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngushëlluar familjen e Luran Ahmetit, i cili vdiq dje nga COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.
“Luranin pata fatin ta takoj tre vite më parë. Në shfaqje dhe pas shfaqjes. Ai luante rolin e Robespierit, në pjesën “Vdekja e Dantonit”. Pata fatin ta shihja në skenë. Ishte fat sipas vetë Luranit. Ai thoshte se teatri ishte vendi ku bëhej aktori i vërtetë. Kohët e fundit pandemia ia kishte penguar disa projekte. Por askush nuk mund të mendonte se do t’ia ndalte ëndrrën”, shkroi Kurti.
Kurti ka thënë gjithashtu se padrejtësisht, teatri humbi një dispozitiv të lartë.
“E pashë pra Luranin në skenë, në vendin e ndërveprimit më intim të plastikës dhe cerebralit të aktorit. Si duket ishte nisur për të luajtur personazhe historikë. Do të kishim patur fatin ta shihnim më gjatë atë portret të plotë e të ngrohtë që dinte të merrte forma të ashpra dhe të prera. Ai po ngjitej modestisht në skenë. Një ditë jam i sigurt se do t’i rikthehej Robespierit. Dhe jam i sigurt se përsëri do ta shihja. Por, padrejtësisht ne humbëm një dispozitiv të lartë të teatrit. Ne humbëm Robespierin tonë te “Vdekja e Dantonit”. Ngushëllime gruas Edlira, vajzës Arba, babait Xhabir, familjes së gjerë e miqve të shumtë të Luranit”, shkroi Kurti në Facebook. /Gazeta Sinjali/