Kryeministri i vendit, Albin Kurti, me rastin e 7 Marsit, ka përmendur disa nga synimet e programit qeverisës lidhur me sistemin arsimor në Kosovë.
Sipas Kurtit, rritja e cilësisë së mësimdhënies në arsimin fillor dhe të mesëm e cila do të bëhet mbi parimin e meritokracisë dhe kurrikulës së bazuar në kompetencë dhe zhvillim profesional të mësimdhënësve.
“Ne duhet të pranojmë se pa reformë në arsim nuk mund të arrijmë të kemi arsim cilësor. Por reforma nuk duhet të jetë kundër mësimdhënësve por për mësimdhënësit. Kjo i bie që ngritja e cilësisë nuk ka për bazë përjashtimin por investimin në ngritje të standardeve të mësimdhënies”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje, kryeministri Kurti ka shtuar se “hapi tjetër duhet të jetë që edukimi të jetë i lidhur me tregun e punës. Edukimi nuk mund të jetë cilësor nëse ai nuk të siguron një vend pune, rrjedhimisht duhet të lidhim edukimin e të rinjve me kërkesat e tregut në ekonomi”.
Kurti ndër tjera shkruan se programi i qeverisë do të synojë që:
– Të përmirësojë infrastrukturën arsimore me më shumë biblioteka dhe kënde të leximit, hapësira rekreative e salla të edukatës fizike,
– Pjesëmarrje të menaxhmentit në vendimmarrje duke përfshirë komunitetin dhe prindërit,
– Vlerësimin e kurrikulave dhe teksteve shkollore,
– Pajisje teknologjike dhe laboratorë si dhe digjitalizim të përmbajtjes mësimore për përdorim në klasë dhe jashtë klasës, dhe
– Më shumë inspektorë e më shumë inspektim që të garantojmë cilësinë./GazetaSinjali/