image Kurti, PDK-së e LDK-së: Më thatë që kam dështuar në Ohër, kurse Cholleti ma uroi suksesin

Politikë

Kurti, PDK-së e LDK-së: Më thatë që kam dështuar në Ohër, kurse Cholleti ma uroi suksesin

news image

Kryeministri Albin Kurti, ka replikuar me deputetët Armend Zemaj e Enver Hoxhaj, gjatë seancës së sotme të kuvendit.

Kurti tha se nuk shfaqet triumfues në kuvend, por i tillë shfaqet në negociata, teksa shtoi se atje ka fituar Kosova.

“Pra, ‘de-facto’ njohja, gjithë mbështetja ndërkombëtare dhe konstruktiviteti ofensiv që e kemi, kanë ngadhnjyer edhe në Bruksel edhe në Ohër”, është shprehur Kurti.

Tutje, ai tha se pika 10 thotë se “të dy palët konfirmojnë obligimin e tyre për të implementuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut”, teksa shtoi se fjalia vazhdon “që mbeten valide dhe të obligueshme”.

“Ju në fjalimin e juaj zotëri Zemaj nuk e thatë këtë fjalinë e dytë. Pse nuk e thatë? Ju nuk e thatë sepse pikërisht ashtu i konvenon Serbisë. Pra, ‘që mbeten valide dhe të obligueshme’ është në pikën 10. Ajo që është e favorshme për Kosovën do të duhej të përmendej vazhdimisht sepse interesin e Kosovës e mbrojmë ne”, është shprehur Kurti.

Kurse, sa i përket pikës 7, konkretisht vetëmenaxhimin, Kurti tha se duhet lexuar Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës.

“Hoxhaj tha se ‘në negociata shkohet me 2-3 skenarë’, e pyetja ime është se me 2 a me 3. Pra, kur thuhet se ‘shkohet me 2-3 skenarë’, kjo tregon që nuk e ke skenarin me gjithë mend, se veç do më shumë se 1. Pra, 2-3 thua kur është veç më shumë se 1. Pse jo 4 deputeti Hoxhaj? Unë s’mund ta shpalosi strategjinë time këtu. Pra, në negociata nuk bëhet publike strategjia. Ju nuk e dini sa skenarë kam pasur unë”, është shprehur Kurti.

Më tej, Kurti tha se në orën 13:00 ka biseduar me Këshilltarin e Lartë të DASh-it, Derek Chollet, i cili ia ka uruar suksesin në Ohër.

“Porsa ma uroi në telefonatë Derek Cholleti suksesin në Ohër, e ju thatë që është dështim. Në ora 13:00 kisha telefonatë me të, e ai më uroi për suksesin. E ju thatë që dështim. Ju po besoni që Kosova ka dështuar në Ohër, ndërkaq Chollet ma uroi suksesin në Ohër. Dhe, unë çdo herë, kur e lëshoj seancën është për shkak të një takimi dhe kthehem. Ju e dini që unë kthehem. Pra, edhe kur shkoj, unë gjithmonë kthehem”, është shprehur Kurti.

/GazetaSinjali/