Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryediplomatja, Donika Gërvalla, kanë zhvilluar takim virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjatë këtij takimi, ata kanë diskutuar për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen më 3 prill në Serbi. Në lidhje me këtë, Kurti tha se për t’u mbajtur në Kosovë duhet të ketë marrëveshje me Serbinë.
Ai u tha ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë të Republikës së Kosovës se nuk dëshirojnë që t’ia pamundësojnë të drejtën e votës qytetarëve që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojnë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit.
Ndërsa sot nga Mali i Zi kanë deklaruar se e kanë refuzuar kërkesën e Beogradit për hapjen e tre qendrave të votimit për zgjedhjet në Serbi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ‘kërcënoi’ Kosovën dhe Malin e Zi duke thënë se do të ketë pasoja të mëdha.
“Prisni gjithçka, sot qeveria e Malit të Zi, e këtë nuk e ka bërë as qeveria e Gjukanoviqit, ndaloi votimin në Berane dhe në disa vende për zgjedhjet tona, qeveria e Albin Kurtit kërkoi të njohim pavarësinë e Kosovës për të organizuar votimin. Kurti do të marrë përgjigje, e dini çfarë përgjigjen do ta marrin, përgjigjen e njerëzve seriozë dhe të përgjegjshëm, por do të ketë pasoja të mëdha”, tha Vuçiq.