image Kurti pas homazheve te varri i Fehmi Aganit: Do të punojmë për zbardhjen e të gjitha vrasjeve

Kosovë

Kurti pas homazheve te varri i Fehmi Aganit: Do të punojmë për zbardhjen e të gjitha vrasjeve

news image

Sot janë bërë 22 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fehmi Aganit. Ai u vra më 6 maj të vitit 1999 nga forcat pushtuese serbe.

Në këtë përvjetor, të varri i tij ka bërë homazhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

Kurti tha se tashmë është koha e fundit që të ketë procese të drejta gjyqësore dhe të vihet drejtësia në vend për të gjitha vrasjet e regjimit të Millosheviqit.

“Bashkë me presidenten e Republikës, erdhëm sot në 22 vjetorin e rrëmbimit dhe vrasjes kriminale të profesor Fehmi Aganit dhe të bëjmë nderim për rolin dhe kontributin e tij. Profesor Agani e theksonte rëndësinë e mendimit në politikë dhe argumentimin në mendim.

Më 29 maj të viti 2019-të ne e patëm plotësuar kodin e proceduarës penale për të mundësuar prokurorinë tonë speciale që të hetojë e më pas të kemi edhe gjykime e dënime në mungesë.

Para dy javësh bëmë një avancim të radhës dhe besoj që është koha e fundit, që sistemi i drejtësisë të punojë dhe të veprojë, që për vrasjet e shumta të regjimit të Millosheviqit, të fillojmë të kemi procese të drejta gjyqësore, që të kemi drejtësi për të gjitha viktimat“, tha Kurti para gazetarëve.

Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private. Kufoma e tij u gjet të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.

Për nder të profesor Aganit vite më parë është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.

/GazetaSinjali/