Kryeministri Albin Kurti thotë se i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë për rastin e vrasjes së gruas shtatzënë duhet të japë dorëheqje.
Kurti përmes një shkrimi në Facebook njoftoi se ka aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur.
“Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur.
Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar. I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje”.