Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur të enjten para deputetëve të Parlamentit Evropian, shkruan Gazeta Sinjali.
Kurti me të nis fjalimin i numëroi parimet e qeverisë së tij për dialogun me Serbinë.
“Së pari është pranimi i realitetit, pavarësia e Kosovës në bazë të Pakos së Ahtisaarit ka qenë kompromis, hapja e kësaj pakoje do të thoshte hapje e listës së dëshirave e shtytjeve që do të qonin në pasoja të padëshirueshme. Parimi i dytë është që Serbia duhet të pranojë të vërtetën, krimet dhe gjenocidin që ka kryer për të cilin NATO është dashur ta bombardojë regjimin e Beogradit, edhe pas luftës në Kosovë, qeveria e re në Serbi nuk është distancuar nga Millosheviqi”, u shpreh Kurti.
Parimi i tretë, tha Kurti, është barazia e përfaqësuesve, në çdo tryezë ulemi të barabartë.
I pari i qeverisë kosovare u bëri me dije eurodeputetëve se nuk do ta neglizhojnë dialogun që sipas tij nuk ka alternativë, megjithatë tha se Serbia duhet të normalizojë fillimisht veten.
Këtu Kurti foli edhe për marrëveshjen e Washingtonit, të cilën pranoi se nuk e konsideron si serioze.
E për publikimin e letrave të njohura si “non-papers”, Kurti tha se janë mendime që mbështillen si lajme dhe përpiqen që të përhapin dhe të imponojnë rrethana dhe interesa të caktuara. /Gazeta Sinjali/