Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar sërish hapjen e arkivave të Serbisë, krejt kjo me qëllim të zbulimit të krimeve e masakrave të kryera gjatë luftës së fundit, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai këto deklarata i ka bërë pasi bashkë me familjarët e viktimave bëri homazhe para arkivoleve të viktimave të masakrës së Rezallës, eshtrat e të cilëve u sollën pas zhvarrosjes në varrezën masive të Kizhevakut.
“E madhe është dhimbja e kësaj dite, i dhimbshëm e i ftohtë ky ritakim i familjarëve që sot po rikthen të dashurit e tyre. E dhimbshme është dita për mijëra familjarë të tjerë për të cilët ankthi i pritjes nuk ka fund. Fëmijë, tani të rritur, me pritjen për një përgjigje, pleq që nuk dinë për fatin dhe vendndodhjen e trashëgimtarëve të tyre”
“Nuk mund të ndalemi derisa të na sjellin fëmijët në vendlindje dhe drejtësinë për ta. Ne e kemi për detyrë të këmbëngulim te Serbia si përgjegjëse për zhdukjen e tyre që sa më shpejtë të zbardhen fati i të zhdukurve me dhunë.”
“Për këtë arsye të zhdukurit janë çështja e parë në raportin e Kosovës me Serbinë, për këtë arsye e kemi insistuar në çdo takim për hapjen e arkivave dhe nxjerrjen e informatave edhe për varrezat e tjera masive në Serbi”, ka thënë ai.
Tutje ai ka shtuar se përgjegjësit e këtyre krimeve cilësohen si heronj në Serbi.
“Përgjegjësit për krimet e luftës vazhdojnë të cilësohen si heronj në Serbi dhe të mbajnë role publike të cilët vazhdojnë të promovojnë politika të njëjta që sollën kaq shumë shkatërrim e vuajtje, e humbje për ne dhe për rajonin“, shtoi ai.
Kurti ka njoftuar se viktimat që sot u kthyen në atdhe janë Shefqet Zabeli, Sadri Zabeli, Dibran Rukolli, Jonuz Rukolli, Etem Deliu, Nezir Deliu dhe Nazif Hoti që ishin groposur në Kizhevak të Serbisë.
Por, krahas tyre janë kthyer edhe një pjesë e eshtrave të Vesel Deluit e Behram Rukollit, eshtrat e të cilëve ishin gjetur më parë në Rudnicë të Rashkës.
“Sot pas 22 vitesh 5 muajsh e 25 ditësh pritje na u kthyen Shefqet Zabeli, Sadri Zabeli, Dibran Rukolli, Jonuz Rukolli, Etem Deliu, Nezir Deliu dhe Nazif Hoti që ishin groposur në Kizhevak të Serbisë. Bashkë me ta u kthyen edhe eshtrat e mbetur të Vesel Deliut dhe Behram Rukollit një pjesë e eshtrave të të cilëve u patën gjetur vite më par në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës“, tha Kurti.
Kryeministri Kurti theksoi se janë pikërisht zbulimi i eshtrave të Vesel Deliut e Behram Rukollit, që dëshmojnë se shteti serb i ka vrarë për të dytën herë viktimat.
“Zbulimi i eshtrave të këtyre dy viktimave në dy varreza të ndryshme është dëshmitë e mizorisë së shtetit serb, që kthehej në vendin e krimi për të vrarë për së dyti viktimat e veta dhe duke ua zhvarrosur trupat dhe për të ua shkapërderdhur eshtrat nëpër varrezat masive në Serbi”, shtoi ai.
Kurti gjithashtu ka thënë se janë pikërisht familjarët që thyen heshtjen dhe nuk lejuan harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë.
“Kjo këtu sot është e vërteta që është përpjekur në varreza masive me heshtje në dy dekada. Këto vite ishit ju familjar që thyet heshtjen dhe nuk lejuar harresën të mbuloj mizoritë që ndodhën në luftë. Sot kujtojmë me nderim guximin e familjeve që qëndruan dhe qëndrojnë në betejën për të vërtetën dhe drejtësinë. Kujtojmë sot edhe nënat e baballarët që ndërruan jetë para se të mund t’i vënë për pushuar përjetësisht eshtrat e fëmijëve të tyre”, shtoi ai.
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari tha se këta trupa po kthehen sërish në vendlindjen e tyre. Ai ka bërë thirrje që bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion ndaj Serbisë, që të tregojë për vendndodhjen e personave të pagjetur që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Ndërsa Andin Hoti, i biri i veprimtarit të zhdukur të çështjes kombëtare Ukshin Hoti, tha se masakra e prillit 1999 rikthehet sot në kujtimet e tmerrshme me varrimin e shtatë trupave dhe dy ribashkimeve.
Instituti i Mjekësisë Ligjore do të ekzaminojë sërish këta trupa, e më pas do të organizohet ceremonia e varrimit.