Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i është rikthyer edhe një herë çështjes së autorit Peter Handke i cili fitoi çmimin Nobel për Letërsi, ndërkohë që austrikau njihet publikisht për përkrahjen që i ka dhënë Millosheviqit.
Kurti thotë se shkrimtarin nuk mund ta gjykojmë si të pavarur prej vetes.
“Atë duhet ta vlerësojmë si njeri, si bashkëkohësin tonë, që me qëndrimet, fjalët e bëmat e veta ndërton personin e vet, po aq sa e ndërton edhe me veprat që shkruan. Andaj, pavarësisht çdo konsiderate ‘strikt letrare’, nuk mund të mos na revoltojë përzgjedhja e Peter Handke-s për çmimin Nobel në vitin 2019”, shkruan Kurti.
Postimi i plotë i Albin Kurtit:
Sot, më 22 tetor, bëhen 55 vjet prej kur Jean-Paul Sartre e ka refuzuar çmimin Nobel për Letërsi. Thua se e ka ditur çka do të bëhet me këtë çmim në vitin 2019 kur ai iu nda Peter Handke-s.
Sartre e ka refuzuar çmimin atëbotë sepse nuk ka dashur të transformohet nga vlerësimi prestigjioz, ndërkaq çmimi për Handke-n tashmë po e transformon vlerësimin e përgjithshëm për Nobelin për Letërsi.
Ky çmim që konsiderohet si stolia më e lartë në jetën e një shkrimtari, prestigjin nuk e ka fituar nga paratë që ndan, por pikërisht nga emrat e atyre që historikisht ka stolisur. Pra, lista e të vlerësuarve ia ka rritur vlerën çmimit. Por, cila është vlera që i jep çmimit Peter Handke, ky avokat i gjenocidit e mohues i dhimbjes e i traumës së popujve të tërë?
Oskar Wilde te portreti i Dorian Gray-t shkruante se “nuk ekziston libri moral apo imoral, veç libri i shkruar mirë apo keq”. Ama çmimi Nobel nuk i ndahet librave të veçantë, por gjithnjë i jepet një shkrimtari. E nëse librin a letërsinë edhe mund ta gjykojmë në vetvete, si të pavarur prej autorit, shkrimtarin nuk mund ta gjykojmë assesi si të pavarur prej vetes, veprës e fjalës së vet. Atë duhet ta vlerësojmë si njeri, si bashkëkohësin tonë, që me qëndrimet, fjalët e bëmat e veta ndërton personin e vet, po aq sa e ndërton edhe me veprat që shkruan. Andaj, pavarësisht çdo konsiderate “strikt letrare”, nuk mund të mos na revoltojë përzgjedhja e Peter Handke-s për çmimin Nobel në vitin 2019.
Ballkani ka nevojë për drejtësinë, paqen dhe pajtimin, pas luftërave të përgjakshme dhe tensionimeve të vazhdueshme. Në fakt, nëpërmjet drejtësisë për krimet, edhe arrijmë tek e vërteta historike dhe njerëzore, te besimi i ndërsjellët për pajtim në të ardhmen.
Me Sartre-in nuk do të ishte e nevojshme të diskutoheshin këto. Me Handke-n nuk është e mundur të diskutohen këto. Sepse Sartre ishte në anën e të shtypurit që revoltohet. Ndërkaq Handke është në anën e shtypësit që nuk pendohet.