Seanca për të diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi nuk vazhdoi në pjesën e dytë të ditës. Shkak për këtë u bë largimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, raporton GazetaSinjali.
Meqënëse kryeministri Kurti nuk u kthye në seancë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kërkoi që seanca të shtyhet.
“Nëse kryeministri kthehet në rregull, nëse jo, e vazhdojmë ndonjë ditë tjetër kur dakordohemi me opozitën dhe mazhorancën”, tha Tahiri.
Të njëjtin mendim kishte edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
“Nuk ka kuptim të mbahet debati pa kryeministrin. Ky debat e këto diskutime duhet të bëhen me kryeministrin. Nëse nuk po nihet mirë po e presim derisa t’i kalon”, tha Gashi.
Edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, vlerësoi se vazhdimi i seancës nuk ka kuptim pa kryeministrin.
“Edhe ne ndajmë të njëjtin mendim. Seanca s’ka kuptim pa kryeministrin”, tha Tahiri.
E shefja e grupit të Vetëvendosjes deklaroi se kryeministri është në një takim.
“Kjo seancë është ftuar nga opozita. Sipas informatës ai është aktualisht në takim, por prezencën e tij e ka ofruar zv/kryeministri përgjegjës për dialogun. Është seancë të cilën e kanë ftuar dhe sipas kërkesës e vendimit të tyre ne jemi të gatshëm”, tha Mimoza Kusari-Lila.
Seanca e sotme u shoqërua me debate të ashpra.