Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale qartëson obligimet e institucioneve përgjegjëse për trajtimin e dhunës seksuale.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se viktimave u takon përkrahja institucionale dhe shoqërore.
“Nuk mund të lejohen papërgjegjësi të tilla, ku institucionet i hedhin fajet njëra-tjetrës për mosveprim, shmangin përgjegjësitë dhe neglizhojnë viktimat e dhunës kur ato trokasin në dyert e institucioneve. Viktimave u takon përkrahja institucionale dhe shoqërore, përkujdesja maksimale dhe adekuate, shëndetësore e psikologjike”, ka shkruar Kurti.
Sipas kryeministrit organet e rendit e të hetuesisë, prokuroritë dhe gjykatat, duhet të vënë personat e dyshuar sa më parë para drejtësisë.
“Prokuroritë dhe gjykatat të jenë ato të cilat dëshmojnë se përkushtimi i ri është një fazë e re për të gjitha institucionet dhe për mbarë shoqërinë. Që kryerësit të marrin dënime meritore”, tha Kurti.
I pari i Qeverisë tha se ndryshimet ligjore të ndërmarra nga Qeveria, në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, në rastet kur një person shpallet fajtor për veprën penale të dhunës në familje apo të dhunës seksuale, janë këto:
– do t’i ndalohet punësimi në institucionet publike;
– do t’i ndalohet kandidimi në pozita qoftë në nivel lokal apo qendror;
– do t’i merret leja e vozitjes;
– nuk do të zbatohen rrethanat lehtësuese për dhunuesit;
– trajtimi i këtyre lëndëve nuk do të zgjas më shumë se 1 vit dhe
– emrat e dhunuesve do të publikohen ne faqen zyrtare të KGJK-së.
“Ndryshimet ligjore për ashpërsimin e dënimeve ndaj dhunuesve, si dhe zbatimi i këtij protokolli, do t’u dalin në ndihmë dhe mbrojtje viktimave”, përfundoi Kurti.