image Kurti: “Non-papers” vijnë nga Serbia dhe Rusia - synim hapja e pakos së Ahtisaarit

Politikë

Kurti: “Non-papers” vijnë nga Serbia dhe Rusia – synim hapja e pakos së Ahtisaarit

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “non-paperat” që po qarkullojnë kohët e fundit nuk beson se vijnë nga kryeqytetet evropiane ose nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por sipas tij, vijnë nga Serbia e Rusia, shkruan Gazeta Sinjali.

Kurti shtoi se këto “non-papers”, synojnë që ta përdorin Ballkanin Perëndimor për ta sulmuar Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Nuk besoj se autorë të këtyre “non-paperave” janë kryeqytetet perëndimore, sigurisht se jo SHBA-ja por as kryeqytetet evropiane. Besoj se kjo vjen nga Beogradi e mbase edhe nga verilindja. Është interes i federatës ruse që ta përdor Ballkanin Perëndimor që ta sulmojë BE-në dhe NATO-n. Unë përpiqem ditë e natë që të bind faktorin ndërkombëtar se çka është e drejtë dhe e dobishme”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se synimi i Beogradit është që ta hapë pakon e Ahtisaarit dhe të gjitha çështjet brenda saj.

“Nën sulm ndodhet plani i Ahtisaarit, synimi i Beogradit është që ta hap pakon e Ahtisaarit dhe të gjitha çështjet që ishin aty brenda. Formula e suksesit e cila është edhe obligim moral e politik është që ne të mbrojmë pavarësinë e faktorët ndërkombëtar ta mbrojnë planin e Ahtisaarit karshi Serbisë. Synimi i Serbisë është bosnjëzimi i Kosovës, që ta bëjë Kosovën shtet të dështuar. Synimi është që të sulmohet sovraniteti dhe integriteti territorial duke e hapur pakon e Ahtisarit. Plani i Ahtisarit është fëmijë i ndërkombëtarëve, atë duhet ta mbrojnë ndërkombëtarët ndërkaq unë po e mbroj Kosovën tonë të dashur, të pavarur”, ka deklaruar kryeministri Kurti para korrespondentëve nga Kosova, intervistë e tij që po transmetohet edhe nga disa media në Kosovë. /Gazeta Sinjali/