Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka shprehur ngushëllime popullit turk, familjarëve të viktimave dhe kryesuesve të institucioneve në Turqi, për 39 viktimat e ortekut.
Kurti, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka uruar që të lënduarit të bëhen mirë sa më shpejt, raporton Gazeta Sinjali.
“Në mëngjes lexova në lajmet nga bota për fatkeqësinë që kanë shkaktuar dy ortekë në lindje të Turqisë. Orteku i dytë mori jetë edhe prej ekipeve të shpëtimit që po kërkonin trupat e viktimave nga orteku i parë. Deri më tani janë 39 viktima, e shpresojmë që ky numër të mos rritet. Ngushëllime për popullin mik të Turqisë, për familjarët e viktimave, e për kryesuesit e institucioneve, presidentin Erdogan dhe kryeparlamentarin Sentop”, ka shkruar Kurti.
Një ortek bore ka rënë dje në një autostradë malore në provincën Van të Turqisë, duke shkaktuar vdekjen e së paku 39 personave dhe lëndimin e shumë të tjerëve./Gazeta Sinjali/