image Kurti ngatërron komandantin e Njësisë Speciale me një koleg të tij

Kosovë

Kurti ngatërron komandantin e Njësisë Speciale me një koleg të tij

news image

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, takoi sot në zyrën e tij shefin e Njësisë Speciale Operative, Besart Ahmeti dhe kolegë të tij të menaxhmentit të policisë, për ti përgëzuar për operacionin në pikat kufitare veriore. Por, Ahmetin e veçoi dhe i kushtoi edhe një postim në Instagram.

Kjo sepse sipas Kurtit, Ahmeti ishte në mesin e policëve që e kishin arrestuar 16 vite më parë.

“Në zyrën time në Kryeministri, sot prita ministrin e brendshëm dhe udhëheqës të lartë të Policisë së Kosovës. Në mesin e tyre ishte edhe Besart Ahmeti, të cilin e ritakova nga afër pas 16 vjetëve. Kapiteni Ahmeti ka udhëhequr profesionalisht policë të njësisë speciale në Bërnjak dhe ka zhvilluar shkëlqyeshëm negociata në terren atje”, shkroi kryeministri Albin Kurti duke shtuar se nuk ia shtrëngoi dorën këtë të diele Ahmetit për shkak të pandemisë.

Dorën në fakt, Ahmetit nuk ia shtrëngoi as para 16 vjetësh sepse kryeministri e ka ngatërruar personin që thotë se e arrestoi në protestat që Vetëvendosje i pati bërë kundër UNMIK-ut.

Polici që e pati kapur për krahu shefin aktual të qeverisë për dore është Fatlum Shaqiri, i cili është pjesëtarë i njësitit elitë të policisë së Kosovës.

Por, kryeministri në postimin e tij është i saktë për komentet që i bëri për Besart Ahmetin, kur i përmendi negociatat në Bërnjak.

Besart Ahmeti, negociata pati të shtunën e 2 tetorit edhe me pjesëtarët e KFOR-it. Kryepolici nuk pranonte tërheqjen e specialëve pa e bërë këtë fillimisht protestuesit serb që bllokuan pikat kufitare 1 e 31 për 13 ditë, si kundërshti e vendimit për reciprocitetin e targave të makinave.

Edhe në ditën e fundit të barrikadave Ahmeti ia arriti qëllimit, dhe pak para orës 16 edhe rruga në Bërnjak u lirua, për ta përmbushur plotësisht pikën e parë të marrëveshjes së 30 shtatorit në Bruksel, shkruan KK.

/Gazeta Sinjali/